MIRËSEVINI NË HANDIKOS FERIZAJ

Mbahet konferenca “Sfidat e shërbimeve sociale në Kosovë dhe ngritja e fondeve për OShC-të”

Handikos Ferizaj në bashkëpunim me Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile KCSF ka mbajtur konferencën “Sfidat e shërbimeve sociale në Kosovë dhe ngritja e fondeve për OShC-të” në shënim të 1 qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Pjesë e panelit të diskutimit ishin përfaqësuesja nga Ministria e Drejtësisë, Znj. Adile Basha Shaqiri, Drejtore Ekzekutive e KOMF – Znj. Donjetë Kelemendi, Drejtori Ekzekutiv në Save the Children Kosova/o – Zt. Ahmet Kryeziu, Drejtori Ekzekutiv në KCSF – Zt. Taulant Hoxha, nënkryetari i Komuna e Ferizajt – Zt. Lulzim Aliu, Zt. Enver Kosumi dhe Znj. Gresa Behluli nga Handikos Ferizaj, të cilët ndanë perspektivat e tyre mbi shërbimet sociale, zgjidhjet inovative për adresimin e sfidave me të cilat përballen sektori i shërbimeve sociale dhe mundësitë për sigurimin e financimit të qëndrueshëm për organizatat jo-qeveritare.

Një prej çështjeve kryesore të diskutuara ishte edhe mungesa e mbështetjes që Komuna e Ferizajt po ofron për shërbimet sociale duke u renditur ndër të fundit në Kosovë sa i përket mjeteve që ndahen për këtë sektor. Në anën tjetër, pa mbështetje po mbesin edhe OJQ-të pasi tashmë po hyjnë në vitin e katërt qysh nga shpallja e thirrjes së fundit publike për projektet në ofrim të shërbimeve sociale. Për këtë, Zt. Aliu u zotua që kjo situatë do të ndryshoj pasi komuna do të shqyrtojë mundësitë për mbështetje gjatë rishikimit të buxhetit për pjesën e dytë të vitit 2023.

Kjo ngjarje tematike që shërbeu si një platformë për dialog konstruktiv mes ekspertëve, avokuesve për të drejtat e njeriut, ofruesve të shërbimeve dhe institucioneve relevante u përmbyll duke u dakorduar që përveç burimeve të financimit që mund të jenë nga fondacionet, donatorë ndërkombëtarë, biznese lokale apo individë, financimi nga skemat shtetërore mbetet opsioni më i qëndrueshëm, duke siguruar që shërbimet të cilat ofrohen për personat me aftësi të kufizuara të jenë profesionale dhe në përputhshmëri me nevojat e komunës.

ABONOHUNU PER LAJMET E FUNDIT

Njoftime, Ngjarje, Trajnime...