Në muajin e mundësive të barabarta profesionale për personat me aftësi të kufizuara, është lansuar kampanja “Punësimi është e drejtë, jo privilegj!” me qëllim të njohjes së rolit të rëndësishëm që kanë personat me aftësi të kufizuara në tregun e punës.
Aktiviteti kryesor i kampanjës ka përfshirë “Shadow Day” ku nëntëmbëdhjetë persona me aftësi të kufizuara, të shpërndarë nëpër drejtoritë e komunës së Ferizajt, Qendrën Rajonale të Punësimit dhe Plus Market, patën mundësi të mbanin disa orë praktikë pune duke pasur në fokus ndërgjegjësimin e institucioneve publike dhe private në respektimin e ligjit për politika të punësimit gjithëpërfshirëse dhe jo diskriminuese.
Kujtojmë gjithashtu që, në video animacionin e publikuar nga Handikos Ferizaj, përveç që mund të informoheni për hapat dhe procedurat për punësim dhe aftësim profesional, mund të mësoni më shumë për ligjet ekzistuese të cilat mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në punësim e në anën tjetër obligojnë institucionet publike dhe private për respektim të tyre.