Në ditën ndërkombëtare të përdoruesve të karrocës – 1 Mars, u lansua kampanja “Mos ma moho të drejtën e lëvizjes” pjesë e së cilës përmes marshit që u mbajt në sheshin kryesor të Ferizajt ishin personat me aftësi të kufizuara, përfaqësues të institucioneve, organizatat joqeveritare, nxënës të shkollave të mesme e të tjerë.
Derisa në duar mbani pankarta me mbishkrime si “Edhe unë kam të drejtë me lëviz me karrocë nëpër rrugët e njëjta që lëvizni ju!”, “Prap ma kanë nxon parkingun!”, “A më ndihmon me kalu trotuarin” qëllimi kryesor ishte ndërgjegjësimi i shoqërisë për rëndësinë e qasjes në të gjitha mjediset edhe për personat me aftësi të kufizuara fizike.
Gjithashtu, Komuna e Ferizajt, Posta e madhe, kafiteritë të cilat gjenden në shesh, ishin vetëm disa nga objektet të cilat u shenjëzuan sot gjatë parakalimit si vende me infrastrukturë jo të përshtatshme në qytetin e Ferizajt, sfida këto të cilat janë pasqyruar edhe përmes një video-animcioni të lansuar në po të njëjtën ditë.
Kujtojmë se Handikos Ferizaj në vitin 2019 ka hartuar Strategjinë Komunale për Personat me Aftësi të kufizuara për një periudhe 5 vjeçare, pjesë e së cilës është edhe fusha e Qasjes. Nga monitorimi i cili është kryer në vitin 2021, del se nga të gjitha aktivitetet të cilat janë planifikuar gjatë periudhës 2019-2023 vetëm 40% e tyre kanë gjetur zbatueshmëri duke mbetur ende institucione si: Komuna e Ferizajt, Qendra për Punë Sociale, Qendra e Punësimit, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familje, QMF 2, Shkolla fillore dhe të Mesme, vende në të cilat PAK marrin disa nga shërbimet kryesore, me infrastrukturë jo të përshtatshme për ta.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Ofrimi i shërbimeve me bazë në shtëpi për personat me aftësi të kufizuar” si reagim ndaj COVID-19, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementuar nga Handikos Ferizaj në partneritet me Save the Children Kosova/o.
